web analytics

Arti i mëmësisë

 

Autorja: Dr. Elaine Heffner

Arti i të jetuarit do të thotë të jetosh në shoqëri pa t’u dhunuar nevojat e tua dhe pa dhunuar nevojat e të tjerëve. Arti i mëmësisë do të thotë t’iu mësosh fëmijëve artin e të jetuarit. Mjaft prej nesh janë ende duke u përpjekur të mësojnë artin e të jetuarit. Ne jemi rritur sipas një modeli, në të cilin nevojat konfliktuese zgjidhen nëpërmjet betejash force, në të cilat dikush fiton e dikush humb. Ne jemi mësuar me një shprehje “ose – ose” në të cilën, ose unë heq dorë nga ajo që dua, ose ti heq dorë nga ajo që do për mua. Shpesh, duket sikur çmimi i të jetuarit me dikë tjetër është mohimi i vetvetes. Shumë dhimbje në marrëdhëniet njerëzore vijnë nga paaftësia jonë për të plotësuar nevojat tona dhe ato të të tjerëve.

Meqenëse nuk gjen dy njerëz që të jenë njëlloj, ata janë të prirur që të kenë ide, dëshira dhe ndjenja të ndryshme, të cilat kërkojnë të shfaqen në çdo kohë. Veprimi që mbron interesin e njërit, mund të jetë i pa dëshirueshëm nga pikëpamja e tjetrit. Konflikti mund të jetë i thjeshtë si psh: Çfarë filmi do të shohim, apo aq i ndërlikuar sa: Unë kam nevojë për ngrohtësi dhe dashuri, por ti je i ftohtë dhe mohues. Konflikti mund të jetë aq primitiv sa: Është vetëm një copë bukë, cili prej nesh do ta hajë, apo aq i ndërlikuar sa: Unë nuk jam dakord me zgjidhjen që i jep ti këtij problemi.
Problemi i nevojave dhe dëshirave të kundërta në marrëdhëniet njerëzore vendoset fillimisht në marrëdhënien nënë – fëmijë. Kjo marrëdhënie është prototipi, jo vetëm i konfliktit njerëzor, por gjithashtu i mënyrave që përdorim ne në përpjekjen për ta zgjidhur atë.

Mbijetesa urgjente e foshnjës varet nga plotësimi i nevojave të tij. Ndërsa mbijetesa afatgjatë e tij varet nga zhvillimi i aftësive të nevojshme për t’u kujdesur për veten, për të vonuar plotësimin e nevojave dhe për t’i zbutur ato impulse që kërcënojnë mbijetesën fizike dhe psikologjike të të tjerëve. Po si do të arrihet zhvillimi nga njëri pozicion tek tjetri?
Nëna është personi i parë me të cilin bie në konflikt fëmija. Pikërisht në këtë marrëdhënie, ai përjeton për hërë të parë frustrim. Pak nga ky frustrim ndodh thjesht nga realiteti i të jetuarit në këtë botë e jo në mitër. Nëna nuk ka mundësi gjithmonë që ta ushqejë fëmijën sapo ai të ndjejë uri. Ajo mund të jetë e paaftë të deshifrojë drejt apo të lehtësojë shqetësimet e tij. Sidoqoftë, pak frustrim duhet të imponohet qëllimisht nga nëna, meqënëse ajo kërkon t’ia mësojë fëmijës kufijtë e sjelljes së kërkuar nga jeta në shoqëri. Në kryerjen e këtij veprimi, nëna ndikohet mjaft nga besimet dhe shabllonet e sjelljes së shoqërisë në të cilën ajo jeton. Por, ajo ndikohet gjithashtu edhe nga mënyra me të cilën i janë transmetuar këto qëndrime vetë asaj gjatë fëmijërisë.

Metodat e vjetra autoritare të edukimit të fëmijës u zbuluan se janë shkatërruese për zhvillimin individual të personalitetit të fëmijës. Metodat e reja autoritare, të bazuara mbi autoritetin e nevojave të fëmijës, janë provuar të jenë njëlloj shkatërruese për nënën dhe kanë shkaktuar një mori të tërë problemesh tek fëmija. Asnjëra qasje nuk ka qenë e suksesshme për të na dhënë mjetet e nevojshme për t’u përballur me konfliktin në jetën tonë dhe në shoqërinë më të gjerë.
Sfidat më të mëdha për mëmësinë dhe problemet e saj janë çështjet emocionale që e mbështjellin dhe burojnë nga konflikti i hapur në marrëdhënien nënë – fëmijë. Nënat e gjejnë veten në reagimin ndaj sjelljes së fëmijëve të tyre në mënyra që ato nuk i parashikojnë. Ato zbulojnë në vetvete një zemërim të paimagjinueshëm dhe faj të papërballueshëm. Këto ndjenja shfaqen në atë shkallë saqë, nevojat e fëmijës, siç shprehen në sjelljen e tij, përbëjnë një kërcënim ndaj vetë nevojave të nënës. Asaj i errësohen sytë nga sjellja e fëmijës, kur kjo sjellje bie ndesh me ndjenjat e saj. Në të shumtën e rasteve, ajo nuk e ka përjetuar mundësinë që këto nevoja, dëshira dhe ndjenja të kundërta, mund të bashkëjetojnë. Ajo sheh vetëm dy mundësi: ose fëmija duhet t’i dorëzohet asaj, ose ajo t’i dorëzohet pa kushte fëmijës. Sidoqoftë, asnjëra nga këto zgjidhje nuk e le atë të kënaqur për veten e saj si nënë.

Një nënë mendon se do ta zgjidhë problemin e saj, vetëm nëse dikush do t’i tregojë asaj se sjellja e fëmijës është e mirë apo e keqe, apo se veprimi i saj në një situatë të dhënë është i drejtë, apo i padrejtë. Nënat shprehin fjali të tilla si: “A nuk është e drejtë për të, të më ndërpresë kur jam duke folur në telefon?” “A nuk është e drejtë për të, që të dalë nga dhoma e saj pasi e kam vënë në shtrat?” “A nuk është e drejtë që ai t’i përhapë lodrat në gjithë shtëpinë kur ka mbaruar së luajturi?” Ose ajo mund të pyesë: “A është e gabuar për mua t’i kërkoj asaj të më presë kur kalojmë kryqëzimin?” “A është e padrejtë nga ana ime t’i kërkoj që ai të luajë kur jam duke bërë darkën?” “A e kam gabim kur pres prej tij të mos e godasë vëllanë?” Kërkimi për të “vërtetën objektive” vazhdon. Asaj nuk i duket aspak se të dy, edhe ajo, edhe fëmija, mund të kenë “të drejtë” pasi të dy po shprehin nevoja njëlloj të vlefshme.

Sjellja e fëmijës që duket negative, apo shoqërisht e papranueshme, thjesht mund të jetë një mënyrë tipike e shprehjes së ndjenjave në një fazë të caktuar të zhvillimit. Sidoqoftë, kjo sjellje mund të bjerë në kundërshtim me nevojën e nënës për t’u ndierë si një nënë e mirë me veten e saj, apo në sy të të tjerëve. Këto konflikte formojnë prototipet e të gjithë konflikteve të tjerë të mëvonshëm që do të përjetojë fëmija në jetën e tij, konflikte që ndodhin për shkak të nevojës për të jetuar me njerëz të tjerë, dhe nga fakti i thjeshtë që, në jetë nuk ka mundësi të të shkojë vetëm e jotja gjithmonë.
Kur krijohen konfliktet pyetja që shtrohet është: Kush e ka fajin? më shpesh se sa: Cila është rrënja e këtij konflikti dhe çfarë mund të bëhet për të? Këto janë ekzaktësisht pyetjet që një nënë duhet t’i bëjë vetes në konfliktet me fëmijën e saj. Gjithsesi, ajo nuk do të jetë në gjendje t’iu përgjigjet atyre, nëse nuk beson në rradhë të parë se ajo ka të drejtë të mbështetet në ndjenjat e saj dhe se ajo ka të drejtë që këtyre ndjenjave t’iu kushtohet vëmendje. Shumë prej nesh vuajnë nga nevoja për ta provuar këtë të drejtë. Ne nuk besojmë se të tjerët do t’i marrin në konsideratë ndjenjat tona, dhe kështu ne përpiqemi t’i përligjim këto nevoja, duke identifikuar pozicionin tonë me faktin, apo të vërtetën, dhe duke sulmuar pozicionin e personit tjetër si të gënjeshtërt, të keq, apo të gabuar. Ne nuk besojmë se kemi të drejtë të respektohemi thjesht sepse ne jemi, jetojmë, ekzistojmë.

Në zhvillimin e sjelljeve sociale, detyra kryesore është rritja nga një pozicion ku fëmija kërkon vëmendje totale për të plotësuar nevojat dhe ndjenjat, drejt pikës ku ai do të jetë në gjendje që vetë të marrë parasysh nevojat dhe ndjenjat e të tjerëve. Pra, objektivi është një ekuilibër midis vetes dhe tjetrit. Një sfidë për edukimin e fëmijës është ta ndihmojmë atë të zhvendoset nga njëri pozicion tek tjetri, në atë mënyrë që ai të mos detyrohet të besojë se nevojat dhe ndjenjat e tij janë të gabuara, dhe ai duhet të sakrifikohet për dikë tjetër, apo të tjerët duhet të shtrëngohen të sakrifikojnë nevojat dhe ndjenjat e tyre për të. Për ta arritur këtë objektiv nëna duhet të fillojë me vetëbesimin se ajo ka të drejtë ndaj ndjenjave dhe nevojave të saj. Ajo ka të drejtë të mos e sakrifikojë veten e saj për fëmijën. Ajo ka të drejtë të ndjejë inat, shqetësim, urrejtje, refuzim dhe nevojën për t’u mbështetur tek dikush tjetër veç vetes. Asnjë nga këto nuk e bën atë nënë të keqe. Po ashtu, kërkesat e fëmijës, varësia, nevoja për përkujdesje, ndjenjat agresive dhe ato të inatit nuk e bëjnë atë fëmijë të keq. Sjellja e vështirë e fëmijëve mund të jetë plotësisht në përputhje me fazën e zhvillimit në të cilën ata janë. Pikërisht për shkak të kësaj sjellje “të natyrshme”, e cila cënon aq shpesh nevojat e të tjerëve, ne e kemi të vështirë të jetojmë me të. Për këtë arsye, një detyrë themelore e edukimit të fëmijës është ta mësosh atë si të shprehet në mënyra më të pranueshme. Meqenëse nëna është mësuesja e parë, ajo është personi që ndodhet në vijën e parë të frontit, në komunikimin me dikë, i cili nuk ka mësuar ende se si të marrë parasysh kërkesat e të tjerëve. Nëse ajo duhet të korrë ndonjë sukses në këtë rol, është thelbësore që ajo të besojë në të drejtat e saj, sepse janë pikërisht nevojat e saj, ato që do t’i prezantohen të parat fëmijës ashtu si të një tjetri që duhet të respektohen. Nevoja që ka fëmija për nënën e tij është shembulli më i ngjashëm i nevojës që ai do të ketë gjatë gjithë jetës për t’u mbështetur tek dikush tjetër, deri në një farë mase, për mirëqenien e tij psikologjike dhe fizike. Është kjo nevojë, që e bind atë të fillojë të respektojë kërkesat e nënës së tij. Ajo është duke i mësuar fëmijës mënyrat me të cilat duhet të merren parasysh dëshirat e saj dhe do ta ketë të vështirë ta arrijë këtë, nëse beson se ajo nuk meriton asnjë lloj respekti, apo fëmija nuk meriton fare respekt

Gjatë kohës që fëmija zhvendoset nga egocentrizmi i plotë, drejt një aftësie për të respektuar të tjerët, nëna është në të vërtetë në një pozicion ku mund të bëjë shumë kompromise. Kjo vë mbi shpatullat e saj një barrë të rëndë dhe është pjesë e asaj që e bën mëmësinë kaq të vështirë. Pritshmëria jorealiste se fëmijët sillen në mënyra të pakuptueshme është një shprehje e frustrimit, e të përballurit vazhdimisht me kërkesat e fëmijëve të vegjël. Por, është gjithashtu një shprehje e shkallës deri në të cilën nevojat e fëmijëve konsideroheshin të pranueshme, në kohën kur ajo vetë ishte fëmijë. Sjellja e varur e fëmijërisë i duket e papranueshme tek fëmija e saj, sepse ajo është mësuar ta gjejë të papranueshme në vetvete. Ajo beson se nuk do të respektohet, dhe ajo gjen në sjelljen e fëmijës së saj vërtetimin e kësaj ideje. Ajo beson se sjellja e fëmijës nuk tregon diçka për veten e tij, por është krijuar qëllimisht si një sulm mbi të.
Stresi emocional i mëmësisë krijohet nga ndjenjat që zgjohen nga sjellja e fëmijëve, ndjenja që induktohen nga një marrëdhënie në të cilën, për një kohë të gjatë, nevojat e tjetrit marrin prioritet mbi ato të tuat. Sidoqoftë, ky stres emocional përforcohet nga mendimi i nënës se ndjenjat e saj janë të dyshimta dhe nga frika e saj se ato do të shpërthejnë në sjellje negative dhe të dhunshme kundrejt fëmijës. Nëna ka nevojë për të patur vetëbesimin e dijenisë se ajo mund t’i përjetojë këto ndjenja por, pa i shprehur ato në një mënyrë shkatërruese kundrejt fëmijës. Qëllimi i saj është që të ndihmojë gradualisht fëmijën të bëhet i vetëdijshëm se ajo është një person i veçantë, nevojat e të cilit duhet të respektohen dhe mund ta realizojë këtë vetëm nëse do ta besojë vetë e para.

Përktheu: Marsela Tarelli

 
 
 

0 Comments

You can be the first one to leave a comment.

 
 

Leave a Comment