web analytics

Rënia e Skënderbeut dhe ngritja e Nënë Terezës

 

Autori: Roald Hysa (Skënderbeu tashmë ka rënë nga kali dhe po i mëshohet fuqishëm mitit të “nënë Terezës”. Shoqëria shqiptare po tregon se vuan për modelet e duhura për t’i ndjekur. Koha e shpatës ka mbaruar, ndërsa modeli kozmopolitan i “nënë Terezës”, nuk i përshtatet realitetit nacionalist që duan të përvijojnë shtetarët shqiptarë, kudo ku janë.)

scanderbeg

Përpara pak kohësh të gjithë mediat e shkruara dhe elektronike shqiptare u përfshinë në një debat të fuqishëm mbi librin studimor “Skënderbeu” të studiuesit të shquar zvicerian Oliver Jens Shmit. Nuk mbeti njeri pa e rrahur gjoksin dhe me fjalë mburravece të mbarsura me tone të forta nacionaliste u munduan të përbaltin një vepër studimore, të cilën 95% e tyre as që e kishte lexuar. Gara e të shprehurit me tone të nxehta i tejkaloi kufijtë e normales dhe ata që bërtisnin më tepër ishin pikërisht ata që nuk e kishin lexuar fare. Miti i nacionalizmit nuk mund të shprehej më mirë, se sa nga kjo kategori njerëzish, të cilët deri dje ngritën mitologjinë nacional-komuniste dhe vazhdojnë t’i fryjnë teorisë së nacionalizmit në kushtet e reja të krijuara. Ndërkaq një fushatë e re nacionaliste moderne është ngritur tashmë mbi kryqet false të të ashtuquajturës nënë Tereza, e cila nuk e ka mohuar qenien e saj si shqiptare, por edhe nuk ka qenë aq krenare për këtë identitet. Gjithsesi fama botërore e fituar si një shenjtore e gjallë dhe fituese e çmimit Nobel nuk është se i ka sjellë ndonjë përmirësim imazhit të Shqipërisë dhe Shqiptarëve deri tashti. Ndërsa kjo nuk i ka ndaluar qeveritë shqiptare të pas-demokracisë të përpiqen maksimalisht për ta shfrytëzuar figurën e saj. Të shtyra dhe të nxitura nga qarqe katolike vendase figura e kësaj gruaje gati-gati na është kthyer në ikonë kombëtare dhe shenjtore e një kombi, që në shumicën e tij dërrmuese është musliman, për të mos thënë se edhe shumë tradita të krishtera janë të ndikuara nga shumica muslimane. Por kjo nuk i ka ndaluar aspak klanet katolike brenda shtetit shqiptar dhe në Kosovë të vazhdojnë me diskriminimin e historisë dhe emri “nënë Tereza” gjendet në shumë vende publike, si spitali qendror i Tiranës, sheshi qendror tek universiteti po i Tiranës, aeroporti kryesor i vendit në Rinas mban emrin dhe një shtatore të saj e vendin gati sa nuk e kapi një epidemi patriotizmi, që kush mund të emërtonte më tepër vende e të ngjashme me emrin e saj. Madje edhe në kartën e identitetit u propozua që të vendosej fytyra e nënë Terezës, por u desh një ndërhyrje e fortë e Forumit Musliman, që kjo të mos realizohej dhe sot kartat e identitetit të shqiptarëve të kenë një paraqitje tjetër.

Me tonelata letër u shpenzuan për Skënderbeun që nga Rilindasit, në kohën e Mbretërisë, nën regjimin komunist dhe u desh një studiues i huaj, që nuk iu përshtat kritereve të mitologjizimit nacionalist të ringjallte “dashurinë” e nacionalistëve shqiptarë ndaj kësaj figure. Por reagimi ishte i shkurtër dhe Skënderbeu ra nga kali për t’ia lënë përsëri vendin një tjetër figure të krishtere, një tjetër “atleti të Krishterimit”. Kësaj radhë një femre me përmasa kozmopolitane. E njohur si bamirësja e Kalkutës, por që nuk ka lënë vend të botës pa shkuar, në mos fizikisht nëpërmjet medieve të ndryshme, duke u ngritur në një figurë kulti idhujtarie ndërkombëtare. Gjithsesi shumë njerëz do të sillnin argumente nga më të ndryshme të bazuara në fakte, se misioni i saj nuk ka qenë thelbësisht bamirësia, por krishterizimi i popullsisë indiane, apo ndihmesa në krishterizimin e popullsive të tjera, ku kjo grua ka qenë e pranishme nëpërmjet qendrave të saj misionare. Rëndom është akuzuar për këtë dhe jo vetëm për këtë, por edhe për anashkalime e devijime të misionit të saj bamirës, duke sjellë në vende të ndryshme edhe dëme materiale. Nejse kjo nuk është në qendër të vëmendjes së këtij shkrimi. Bamirësja ndërkombëtare nuk e ka pasur si synim të sajin identitetin shqiptar, i cili nuk do t’i sillte asnjë përfitim nga donatorët ndërkombëtarë. Identiteti i saj si bamirëse e krishterë dhe ligjërimi i saj në emër të Jezusit ka qenë në qendër të vëmendjes së punës së saj të përditshme, si dhe përhapja e këtij mesazhi në përmasa globale. Ndërkaq përmasat globale nuk i përshtaten përmasave të nacionalizmit shqiptar të ndryrë në 28,000 km2, apo qoftë edhe sikur t’i shtojmë atij edhe mijëra kilometra të tjera të trojeve shqiptare në Ballkan. Atëherë me të drejtë na lind pyetja, pse qarqet katolike shqiptare të pranishme në segmente të ndryshme të Shtetit Shqiptar, si dhe tashmë në Kosovë po i fryjnë me shumë zell kësaj figure kontroverse dhe të diskutueshme, edhe për nga pikëpamja nacionaliste?

Përkujtimi i 100-vjetorit të “nënë Terezës” në TKOB në Tiranë, si të ishte një ceremoni e organizuar nga kleri katolik ishte një shfaqje e hapët e kësaj tendence mitologjizuese, mistifikuese e njëkohësisht krishterizuese. Në shtypin e përditshëm madje pati edhe reagime ndaj kësaj maskarade të drejtuar nga drejtori i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Ardian Marashi. Ata që po e rrahin gjoksin sot më tepër për kontributet e dhëna ndaj këtij vendi janë të krishterët katolikë me priftërinjtë e tyre, ku në krye të radhës kanë vënë të ashtuquajturën “nënë Tereza”. Ky vend ka mbetur tashmë pre’ e figurave të diskutueshme dhe pa autoritetin e duhur për të qenë modeli i duhur për shoqërinë shqiptare, që akoma nuk e ka përmbyllur fazën tranzitore, si dhe për shqiptarët e Kosovës, që sapo e kanë nisur këtë fazë.

 
 
 

0 Comments

You can be the first one to leave a comment.

 
 

Leave a Comment