web analytics

Femrave teologe: Bëhuni pjesë e ligjërimit fetar

 

Nga Klodi Smajlaj: Shumë prej nesh mendojnë dhe besojnë se dija që na përcillet e që mësojmë në mënyrë të vazhdueshme për fenë, na ka ardhur prej burrave. Kur dëgjojmë tek thuhen fjalët ‘… Dijetarët kanë thënë…’, në të shumtën e rasteve mendja na shkon te një grup dijetarësh meshkuj.


Shembujt që dëgjojmë shumica prej nesh nëpër ligjërata (që kryesisht mbahen nga burrat), rrallëherë përmendin raste të grave dijetare apo shembuj grash të jashtëzakonshme përgjatë historisë tonë të famshme e ngazëllyese islame.
E gjitha kjo, ne grave na bën shpesh të ndjehemi sikur s’kemi lidhje me përvetësimin e dijes apo me përcjelljen e saj.
E vërteta është se edhe pse ne dëgjojmë të përmenden krejt rrallë raste të grave dijetare, kjo nuk do të thotë se ato nuk ekzistojnë. Kjo nuk do të thotë se ato s’kanë lënë gjurmë njëlloj sikurse burrat, e madje në disa raste edhe më shumë sesa ata.
Për shembull, të gjithë ne kemi dëgjuar të flitet shpesh për Hasan El Basriun. Po ashtu, edhe për Ebu Bekër Ibn Hazmin. Të dy këta kanë qenë emra të mëdhenj në fushën e hadithit. Por, a keni dëgjuar ndonjëherë se kush mund të kenë qenë bashkëkohës të kalibrit të tyre e njëkohësisht dhe mësues të tyre? Kanë qenë pikërisht gra!

Në mënyrë të veçantë, Hafsa Umm el-Darda, vajza e të famshmit Ibn Sirin, qe konsideruar nga Ijas Ibn Muavijah, – një autoritet i shquar i hadithit të asaj kohe, – si një dijetare në grada të larta të dijes, madje që ua kalonte të gjithë bashkëkohësve të saj meshkuj, duke përfshirë këtu edhe vetë Hasan el-Basriun. Emrah bint Abd-el Rahmani ka qenë njëra nga mësueset e Ebu Bekër Ibn Hazmit. Ky qe urdhëruar nga Omar ibn Abdul Azizi që të shkruante të gjitha hadithet nën mbikëqyrjen dhe përgjegjësinë e saj. Ja, kaq e jashtëzakonshme ishte kjo grua në dije!

Rastet që përmenda më lart janë vetëm 2 nga të shumtat që ekzistojnë e që janë të regjistruara, por që për fat të keq as nuk përmenden e as nuk promovohen nga ligjëruesit tanë meshkuj. Dhe meqë një gjë e tillë nuk bëhet, atëherë është detyrë e teologeve femra, si dhe e vajzave e grave që janë në kontakt të pandërprerë me librin e literaturën, që t’i shquajnë e t’i promovojnë raste të tilla, për të shërbyer si modele të shkëlqyera për ne.

U takon teologeve femra, që janë thuajse inekzistente në detyrën e tyre, që të dalin në sipërfaqe, të , e të mos lejojnë të na serviren përralla të kohëve moderne mbi gruan e pozitën e saj në Islam. Ato nuk mund të justifikohen thjesht me faktin se janë të angazhuara me jetët e tyre private e të harrojnë përgjegjësinë që morën mbi supe qëkurse vendosën të studionin për teologji. Angazhimet private janë vërtet të dorës së parë për çdo grua, por kur bëhet fjalë për një fushë kaq të rëndësishme sa ç’është ajo e ushqimit shpirtëror të njerëzve me besimin në Zot, në këtë kohë kur besimi është zgjidhje e shumë problemeve individuale dhe shoqërore, atëherë prioritetet private duhen rikonsideruar.

Është ironike të shohësh që trajtesat mbi gruan në Islam mbahen më së shumti nga ligjërues burra. Kjo ndodh ose sepse s’ka kapacitete të mjaftueshme femërore për ta bërë këtë, ose sepse edhe atyre që janë, nuk iu jepet hapësira e nevojshme, ose vetë ato gra kanë zgjedhur të rrinë mënjanë, çka është tepër e trishtë.Në më thënçi se nuk ka gra teologe të atij kalibri, që të mund të angazhohen në ligjërime publike e në diskutime konstruktive mbi çështjet fetare e sociale, atëherë le të mendojmë për t’i ndërtuar të tillat!

Ne si prindër të mos i orientojmë bijat tona vetëm në fusha të tilla, si mjekësia, juridiku, financa etj, që padyshim janë shumë të rëndësishme, por t’i nxisim që të studiojnë edhe për teologji, në këtë fushë ku ka boshllëk të madh të kontributit femëror sot. Dhe jo thjesht të studiojnë, të kryejnë shkollat e të mënjanohen skutash, ku një ditë do të harrojnë edhe se për çfarë kanë studiuar, por të vazhdojnë më tej me mastera e doktoratura, e të dalin të denja për të adresuar problematikat e pafundme që ngrejnë krye çdo ditë në shoqërinë tonë. Ky investim i prindërve do të kishte njëlloj vlerë, madje edhe më shumë vlerë, sesa investimi për arsimimin e vajzave në fushat ku tashmë kemi mjaftueshëm kuadro femra.

Ndërsa bashkëshortëve u bëj thirrje të përzemërt, që t’u krijojnë hapësira të vërteta grave për t’u edukuar e për të marrë dije. Kur flas për ‘hapësira të vërteta’, nuk kam parasysh bla-bla- bla-të me të cilat na është mësuar tashmë veshi, të tipit: “Ne e duam dijen”, “Kush po i pengon gratë në rrugën drejt dijes?!” etj etj. Me ‘hapësira të vërteta’ kam parasysh investimin e vërtetë, sakrificën e vërtetë nga ana e burrave, që gratë të jenë të qeta për t’iu kushtuar studimeve, e jo përveç tyre ta mbajnë mendjen edhe në 100 gjëra të tjera, duke përfshirë këtu edhe situatat stresuese e xhelozuese që mund të krijohen në familje sa herë që ato nuk gjenden aty ku u kanë mësuar se duhet të jenë, në krye të punës, në kuzhinë, në larje, hekurosje e me radhë.
Nëse gruas i lihen të gjitha, atëherë nuk mund të pretendohet kurrsesi se mund të nxjerrim gra të ditura. Nëse gruas i lihen të gjitha, atëherë të thënat se e duam dijen e se duam që të kemi gra të ditura, janë vetëm përralla me mbret.
Për të ngritur një brez grash që do të rifillojnë të japin kontribut në fushën e teologjisë, por edhe më gjerë, duhen sakrifica të vërteta, duhet investim, duhet mendjehapje e dashamirësi.

Është historikisht e konstatueshme, se feja nisi ta humbiste pozitën e saj të rëndësishme qëkurse gratë u nxorrën nga skena. Zaten, edhe arsyeja se pse jemi në këtë derexhe sot, në një masë të konsiderueshme është sepse s’ka gra të kalibrave të atillë (ose ka krejt pak), sa të përfaqësojnë sferën e mendimit.
Për sa kohë që gratë do të vazhdojnë të shihen si individë që duhet të japin kontribut vetëm në familje a në rritjen e fëmijëve, për sa kohë që do të shihen kryesisht si aksesorë zbukurues, e jo të vlerësohen si mendje potenciale, edhe paragjykimet që u mvishen rëndom, se ato janë të shtypura dhe të prapambetura, do të vazhdojnë të ekzistojnë.
Kontributi në familje dhe rritja e fëmijëve janë role tejet të rëndësishme. Mos e keqkuptoni atë çka po them e të mendoni se unë po i konsideroj si role dytësore. Kurrsesi!
Por kam bindjen se gratë mund të bëjnë shumë më shumë. Ato janë ajka e një qytetërimi. S’ka qytetërim pa gra të ditura e të arsimuara. Pa kontributin mendor e intelektual të grave, si kultura, ashtu edhe feja, do të shndërroheshin në dy sfera krejt të pangjyrta.

 
 
 

0 Comments

You can be the first one to leave a comment.

 
 

Leave a Comment