web analytics

Nënave dhe vajzave, që thellësisht frymojnë me më të bukurën e ndjenjave, atë të mëmësisë

 

Nga Ludi Cami:

Nëna dhe rrathët

“Një rreth me miell, të jetë e butë dhe e ngrohtë si buka.
Një rreth prej uji, të jetë i pastër dhe i kthjellët kristal.
Një rreth mjalti, të jetë e ëmbël, erëmirë, lulemjaltëza.
Një rreth kripë, të jetë i matur dhe i drejtë.
Një rreth qumështi, të jetë e bardhë, e bukur, plot jetë.
Një rreth sheqer, të jetë i fortë dhe i butë.”

Fotografia e Ludi Cami

Me gishtin e hollë, si një kompas i padukshëm, nëna vizaton rrathë të përkryer mbi tryezë, në ajër, në jastëk, në mur. Krijon ishuj të bardhë qumështi, të rrumbullakët ëndrrash, me nga një varkë lidhur në çdo port. Ishuj të fjetur, në pritje të marrin jetë e ngjyrë, në një qetësi të ëmbël e të duruar. Ishuj djepe me jastëkë të bardhë të qëndisur me yje e me hënë, që përkunden pareshtur. Ishuj të fshehtë, që rrotullohen si sfera të vogla kristali mbi një det bluje prusiane. Ishuj të mbuluar me velatura të kaltra, që i bëjnë ata të largët e gati të padukshëm. Ishuj të paprekshëm.

Nëna zhvendoset lehtë. Gjurmët e saj janë gjysmë rrathë ose portikë të vegjël, që të çojnë në vise të pashkelura, me aromë shtëpie, aromë misku, me lumenj qumështi e mjalti, me sokakët të qëndisur në lulegurë diamanti, smeraldi, safiri e topazi, me shtëpiza kristali mbi ujëra akuamarinë e turkuazë, ashtu rrathë rrathë, rrethuar nga shelgjishta me lot prej ari… Gjurmët e saj fshihen pa zhurmë. Ato veniten sapo i prek shikimi i paftuar. Një mantel i hollë, i derdhur, i ujshëm, i merr me vete ato duke lënë pas një zbrazëti të brishtë, një mall të kahershëm. Mall për shtëpinë e braktisur.

Nëna frymon ngadalë. E thith ajrin me frikë, si një sorkadhe, O pas O-je, rreth saj çelin pemë bliri e dafine. Do të të shfaqet si një zanë ngjyrë alabastër me lule bliri ndër flokë e me degë dafinash ndër gishtërinj. Mos u habit. Ajo nuk jeton më në mbretërinë tonë të betonit. Fryma e saj tashmë është myshk i njomë, është freski e një qershie në lule, është aroma e tokës së ripërtërirë prej shiut. Gjithçka në hapësirë përkulet tashmë para saj në shenjë nderimi. E ajo i përkulet veç të Gjithëmëshirshmit, Zotit të botëve, që i shtroi qiejt nën këmbët e saj.

Nëna flet butë. Tingujt përkunden mbi buzët e saj dhe pikëlojnë pikë pikë mbi zemra. Ngadalë i shkrijnë ato si akuj e i shuajnë si zjarrmi të hershme. Nën hirin e lagësht lulëzojnë luledritëzat, pikëzat e mëshirës. Shpesh flet me rrokje, që rrokullisen shpejt , si një gjerdan i këputur rruazash. Më kot rreken njerëzia të kuptojnë, ajo flet një gjuhë të harruar tashmë. Atë e kuptojnë të gjithë, veç njerëzve, që mbeten sy e gojë hapur, si peshq të kuq. Jo rrallë herë flet me veten, si të vetmen mike bisedash të gjata në ditët me hënë e në netët me diell. Mëngjeseve flet me tinguj të derdhur monotonë. Tinguj të bardhë fyejsh e lirash të tejdukshme engjëjsh.

Nëna përlotet shpejt. Sytë e saj janë diej të lagësht, dy sfungjerë me ujë deti, lulekëmbora të mbushura me vesë, ujëvara të vrullshme e burime të freskëta. Loti i saj djeg, si gacat kur i shpërndan era. Ai i rrjedh ndër damarë bashkë me gjakun. Shkon e vjen në zemër aq shpesh, sa ka mësuar të pulsojë fort. I rri shpirtit kaq pranë, sa ka nisur të ndriçojë në vezullim, si yjet në rënie. Loti i saj përvëlon, si akull. Bota mund të digjej e të përmbytej nga një pikëlot i tillë. I ka gjithnjë e më të rrallë, sot, lotët e gëzimit. Ata lot të freskët, që shndrijnë të shtatë qiejt.

Nëna lutet gjatë. Ka ditë, kur prej saj nuk del asnjë tingull. Ditë me një të bardhë të fisme, të përtejme. Ditë plot fjalë të pazëshme, që gurgullojnë prej vetiu. Ditë me duart e bardha drejt qiejve, me sytë e përhumbur në vesim, me zemrën në fyt, me mendjen më të kthjellët se kurrë. Ditë kur lulkat e yjet në qilimin e vogël notojnë dorë për dorë në rrëketë që i çojnë drejt Detit. Ajo lutet gjatë në heshtje. Përkujton edhe gurin më të vogël të sokakut, teksa harron çdo ditë të thurë një lutje të vetme për veten. Ajo është e tejdukshme, e kristaltë, e brishtë. Më e bukura grua, ashtu në njëmijë e një tonet e shndritshme të së bardhës.

Nëna merr foshnjën në kraharor, pranë zemrës, e syri pikturon rrethin e përsosur. Mijëra rrathë shtrohen qilim në këmbët e këtij rrethi. Mijëra të tjerë i sillen qark në një harmoni të përkorë. Rrathë diejsh, yjesh, hënash, ujëvarash, detesh me gjithë ç’ka në to, enden e endin përrallëzat e para për një jetë të re, një jetë më të mirë. Rrathë trëndafilash e jaseminësh thërrasin në këtë përkundje krejt botën e luleve e të pemëve. Më të bukurat kurora thurur për më të bukurit e më të pafajshmit ndër shpirtrat, fëmijët. Toka sjell sëndukë në ar e diamante, rubinë pafund, smeralde, e rrathë perlash të rralla për nënën e bukur. Tufa zogjsh pendëshkruar shkundin një ajër me aromë lirie. Xixëllonjat me ndezjet e shuarjet e dritëzave, si kandila të zbehtë, i bëjnë fluturat t’i ndjekin e të ndërthuren në rrathë vibrues ngjyre. Erërat e veriut e të jugut, të lindjes e të perëndimit sjellin, rrathë kristalesh dëbore, kripe prej deteve, piklash shiu e kokrrizash rërë. Të gjithë vijnë qark e nuk përplasen.

E kështu rrethi merr kuptim. Duket sikur është krijuar enkas për të personifikuar nënën. Simbol mëshire prej të Gjithëmëshirshmit. Element që ngjall siguri falë formës së tij të përsosur, një qark i mbyllur, pa asnjë mundësi ndërhyrjeje nga jashtë. Brenda rrethit të saj, nëna dhe fëmija janë të mbrojtur. Shpeshherë, nëna vetë është rrethi, një mburojë hermetike për të vegjlit e saj, deri në vetëflijim. Gati në çdo çast, ajo vizaton tokën e përsosur, shtëpinë e sigurt. Kur ajo përqafon fëmijën, krejt bota ndriçohet.
Magjia që përcjell ky çast sublim, ka prekur gjithnjë shpirtin e artistëve. Në çdo portret të nënës me foshnjë ka rrathë të vetëdijshëm e të pavetëdijshëm, që enden nëpër tablo e poezi. Dhe ka një nënë e një foshnjë, që prehen në një qetësi të përtejme, larë prej një drite të pikuar në ar. Një çast i pakohë, pa fillim e pa fund. Aty ku ora ndalet dhe koha matet me rrahje zemre.

Parajsa është nën këmbët e saj…

Ky shkrim u kushtohet të gjitha nënave dhe vajzave, që thellësisht frymojnë me më të bukurën e ndjenjave, atë të mëmësisë.
Ludi Cami, Revista “Shenja” nr. 67
(piktura,”Several Circles” Wassily Kandinsky,1926

 

Share this Post

 

Related Posts

About the author

 
 

0 Comments

You can be the first one to leave a comment.

 
 

Leave a Comment