web analytics

Çuna! Mjaft! Respektoni Jo-në e vajzave

 

Nga Klodi Smajlaj: Në autobusin e linjës që po prisja të nisej, hynë me të shpejtë dy vajza të reja, të cilat me një zë disi të lartë, ia shprehën gëzimin njëra-tjetrës që arritën ta kapnin autobusin në çastin e fundit.
Duke u thënë njerëzve ‘Sorry, sorry”, si për t’i lajmëruar se ishin të huaja, ato kaluan nga dera kryesore drejt pjesës së pasme të autobusit ku ndodhesha edhe unë, për të ndenjur në terezinë e vet.

Çuna! Mjaft! Respektoni Jo-në e vajzave

Unë isha në këmbë. Përballë meje, në ndenjëset e autobuzit me drejtim të kundërt nga lëvizja, ishin ulur 4 djem, dy te dy ndenjëse e dy të tjerë te dy ndenjëse të tjera. Ata mund të ishin të moshës së viteve të para të universitetit.

Me t’u pozicionuar vajzat e reja përballë tyre, djemve iu lëshuan sytë xixa. Nisën t’i trazonin me pyetje me zë të lartë.
– Uer ar ju from? – i pyeti njëri prej tyre me një theks të çalë anglishteje. Toni i tyre përcillte nuanca të qarta ngacmimi. Njëra nga vajzat iu përgjigj prerazi, po në anglisht, se nuk kishte pse ta dinte se nga ishin. Vajzave nuk iu pëlqeu aspak ngacmimi verbal i djemve dhe u kthyen nga njëra-tjetra duke folur. Ndonëse me sa pashë, ato dhanë sinjale të qarta se nuk donin t’i trazonte njeri, djemtë nuk e lanë me aq. Ata vazhduan pyetjet e ngacmimet gati-gati jargavitëse.

Po shihja çdo reagim. Po studioja çdo mimikë. Refuzimi i vajzave ishte i kthjellët. Po zieja nga brenda. Duke vënë në mendjen time me të shpejtë një skenë të ngjashme, ku viktimë mund të ishte ime bijë, një zë më shpërtheu vrikthi:
“Çuna! Mjaft!”- u thashë, duke u bërë shenjë me dorë që të mos vazhdonin më tej. Ata u tulatën. Vajzat po ashtu u habitën. Ka gjasa të kisha marrë ndonjë pamje agresive, sepse djemve s’iu dëgjua më zëri derisa zbritën nga autobuzi.

Pse jua tregova një situatë të tillë?
Në shoqërinë tonë, ngacmimet ndaj vajzave kanë qenë dhe janë pjesë e zakontë e ditës së djemve. Më parë, përmbajtja e ngacmimeve ka qenë më pak e seksualizuar, ndërsa sot këto lloj ngacmimesh janë shumë më të seksualizuara, vulgare e deri në mësymje fizike.

Dikush mund të thotë se ky është një fenomen normal, se vajzat janë ‘gjuajtur’ e do të ‘gjuhen’ përherë e se ky është fundja një ligj i natyrës. Por nuk po i referohem flirtimit të zakontë konsensual. Nuk i referohem atij lloj ngacmimi, ku të dyja palët përfshihen me dëshirën e tyre. Unë i referohem një mësymjeje të dhunshme ndaj tjetrit, në këtë rast ndaj femrës, si dhe këmbënguljes në këtë mësymje, pavarësisht refuzimit të prerë që mësymësi ndesh.

Dhe e tillë ishte situata me të cilën u hasa në autobus. Djemtë e vazhduan mësymjen, pavarësisht përgjigjes së prerë “Jo!” të vajzave në fjalë. Nuk i fajësoj shumë djemtë. Pavarësisht harbutllëkut të shfaqur, sjellja e djemve është vetëm pjesa e dukshme e ajsbergut.

Ne jetojmë në një shoqëri, ku as djemve e as vajzave nuk u mësohet të kenë kufinj të qartë të vetes me tjetrin, e ku sinjalet dhe mesazhet e përçuara ndërmjet gjinive janë të ngatërruara. Jetojmë në një shoqëri, ku vajzës nuk i mësohet ta thotë qartazi ‘Jo-në’ e ku djalit nuk i mësohet se ‘Jo-ja është ‘Jo!’ dhe s’mund të ketë një kuptim ambig. Jetojmë në shoqërinë e “Pjo-së”. Dhe djemtë e ngjarjes time u sollën me të huajat, siç ishin mësuar të silleshin me shqiptaret. E interpretuan ‘Jo’në’ e prerë të vajzave me kuptimin: “Thonë kot ‘Jo’, se ua ka qejfi!’

Ekziston një mënyrë se si mund ta ndryshojmë këtë lloj mendësie mësymëse, ku as djali të mos duket si grabitqar i egër e as vajza të mos ndihet si e abuzuar. Zgjidhja merr udhë duke u mësuar secilit prej tyre të respektojë veten e kufinjtë e vet, dhe tjetrin e kufinjtë e tij. Merr udhë duke i mësuar vajzat të dinë të thonë “Jo!” atëherë kur duhet, e duke i mësuar djemtë që ta pranojnë “Jo-në” me respekt e tolerancë atëherë kur ajo u jepet si përgjigje.

#Risjellje
#Kufinj
#Edukimndryshe

 
 
 

0 Comments

You can be the first one to leave a comment.

 
 

Leave a Comment